Pavarësisht se ishte planifikuar të fillonin gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit, ato janë shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë vështirësuar kushtet për punë në terren.
Zona ku do të kryhen gërmimet dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.
Gërmimet pritet të nisin sot ndërsa planifikimet janë që të përfundojnë brenda dy javësh.
Të mërkurën, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë përfunduar inspektimet në Kozhle afër Novi Pazarit ku po dyshohet për varrezë masive.
Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni tha se kushtet atmosferike, por edhe ato në terren e kanë pamundësuar nisjen e gërmimeve.
“Dje veç kemi filluar punimet e para, mirëpo sot është dashur që ekipi i mjekësisë ligjore të jetë atje prej orës 10:00, por në bashkërendim me kompaninë që është duke kryer gërmimet jemi ra dakord që sot të pushojnë punët pasi që atje është një shi i dendur që nga nata dhe ka qenë e pamundur të dilet poshtë në lokacion për shkak se është vend malor dhe deponi e mbeturinave…Nga sot ekipet tona do të jenë të pranishme atje deri në përfundimin e punimeve”, deklaroi Hyseni.
Ai thekson se terreni është i vështirë për shkak se lokacioni ku dyshohet se është varrezë masive është edhe deponi mbeturinash.
Mjeku ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë se informacionet preliminare tregojnë se bëhet fjalë për varrezë masive, ndonëse nuk ka shifra të sakta.
Kujtojmë, trupat e rreth 1600 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia. Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve./S.K/KP/