Këtë të hënë, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, u organizua ceremonia zyrtare e marrjes së detyrës nga drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.
Detyrën atij ia dorëzoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm, Kolonel Fehmi Hoti.
“Të pranishëm në ceremoni të pranim-dorëzimit ishin stafi i lartë menaxhues si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm Kolonel Fehmi Hoti, i cili ia dorëzoi zyrtarisht detyrën z.Hoxha, duke i uruar shumë suksese në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm, si dhe duke i ofruar përkrahje dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.
Emërimi i drejtorit të ri është bërë 6 muaj pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Për këto 6 muaj, Policia e Kosovës, kishte funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm.
Mehmeti kishte dhënë dorëheqje pas rastit të dhunimit të 1-vjeçare nga disa persona.