Drejtori i përgjithshëm i klubit italian, Milan, ka folur gjatë Samitit të Uebit 2020 më 3 dhjetor, ku aty foli për madhësinë e stadiumit ku rossonerët zhvillojnë ndeshjet.
Ivan Gazidis ka thënë që Milani është klubi i pestë më i ndjekur në botë, mirëpo ka shtuar se madhësia e biznesit të tyre është shumë më e vogël se e katër të parëve, duke thënë që Rossonerët meritojnë stadiumin më të mirë në botë.
“Pyetja themelore është marka, Milani është klubi i pestë më i ndjekur në botë, një shenjë që marka Milan është e njohur kudo. Madhësia e biznesit tonë është shumë më e vogël se katër të parët për momentin dhe kjo përfaqëson një mundësi të shkëlqyeshme në drejtim të rritjes së mundshme. Milani meriton stadiumin më të mirë në botë dhe ne do të përpiqemi t’ua japim tifozëve atë. Është një projekt emocionues, ku loja do të mbetet elementi kryesor, si dhe bashkëveprimi njerëzor, përvoja e drejtpërdrejtë. Projektet dixhitale nuk do të ndikojnë në këtë proces”, ka përfunduar ai.
Dy skuadrat nga i njëjti qytet, si Milan ashtu edhe Inter, janë duke punuar në projektin për ndërtimin e një stadiumi të ri./UBTNews