UBT News

Gazetarja që bëri histori në intervistën me zëdhënësin e talebanëve, ik nga Afganistani

Në fillim të këtij muaji, Beheshta Arghand bëri histori në Afganistan, transmeton UBT News.

Arghand, një spikere në TOLO, një rrjet lajmesh afgane, intervistoi një përfaqësues të lartë talebanë në transmetim. Ishte kjo intervsita titujt e të cilës u shfaqën në të gjithë botën.

Dy ditë më vonë Arghand e bëri përsëri, duke intervistuar Malala Yousafzai, aktivisten që i mbijetoi një atentati të talibanëve, në atë që TOLO e përshkroi si hera e parë që Yousafzai ishte intervistuar ndonjëherë në televizionin afgan.

Arghand korrespondoi me CNN Business përmes WhatsApp dhe tregoi përvojën e dy javëve të fundit. Në fund, ajo tha, “Unë u largova nga vendi sepse, si miliona njerëz, kam frikë nga talebanët”.

Saad Mohseni, pronari i TOLO, tha se rasti i Arghand është emblematik i situatës në Afganistan.
“Pothuajse të gjithë reporterët dhe gazetarët tanë të mirënjohur janë larguar”, tha Mohseni në CNN’s Reliable Sources Sunday.

“Ne kemi punuar si të çmendur për t’i zëvendësuar ata me njerëz të rinj. Ne kemi sfidën e dyfishtë për t’i nxjerrë njerëzit jashtë [sepse ata ndihen të pasigurt] dhe për të vazhduar operacionin”, shtoi ai.

Arghand është 24 vjeçare. Ajo i tha CNN se vendosi të bëhej gazetare në klasën e nëntë pasi një nga mësuesit e saj e lejoi të vinte në pjesën e përparme të dhomës dhe të lexonte lajmet “sikur të isha moderatore në TV”, tha ajo.

Arghand studioi gazetari në Universitetin e Kabulit për katër vjet. Ajo punoi në disa agjenci lajmesh dhe stacione radio për periudha të shkurtra kohore, pastaj iu bashkua TOLO News si prezantuese në fillim të këtij viti. “Kam punuar atje për një muaj e 20 ditë, pastaj erdhën talebanët”, kujton ajo.

Intervista e saj e 17 gushtit me talebanët ishte “hera e parë në historinë e Afganistanit që një përfaqësues i talebanëve u shfaq drejtpërdrejt në një studio televizive ulur përballë një prezantueseje femër”, tha Mohseni në një kolonë për Washington Post, duke pohuar se talebanët po përpiqeshin të “paraqisnin botës një fytyrë të moderuar”.

Arghand tha se intervista ishte e vështirë, “por unë e bëra atë për gratë afgane”.

“Unë i thashë vetes se njëri prej nesh duhet të fillojë … Nëse qëndrojmë në shtëpitë tona ose nuk shkojmë në zyrat tona, ata do të thonë se zonjat nuk duan të punojnë”, por thashë me vete, ‘Fillo duke punuar”, tha Arghand.

“Dhe unë i thashë anëtarit talebanë, ‘Ne duam të drejtat tona. Ne duam të punojmë. Ne duam – ne duhet – të jemi në shoqëri. Kjo është e drejta jonë”, shtoi ajo.


Dy ditë pasi intervistoi Malala Yousafzai-n, Arghand iu drejtua aktivistes për ndihmë. Të martën, ajo hipi në një fluturim evakuimi të Forcave Ajrore të Katarit së bashku me disa anëtarë të familjes.

Ajo tha se shpreson të kthehet: “Nëse talebanët bëjnë atë që thanë – atë që premtuan – dhe situata bëhet më e mirë, dhe unë e di që jam e sigurt dhe nuk ka asnjë kërcënim për mua, unë do të kthehem në vendin tim dhe unë do të punoj për vendin tim, për njerëzit e mi”./UBTNews

Exit mobile version