Gjilan – Në një kohë kur e vërteta vihet vazhdimisht në provë, kur gazetaria përballet me presione politike, ekonomike dhe teknologjike, dhe kur interesi publik shpesh mbetet në hije, gazetaria hulumtuese mbetet një nga format më të larta të guximit profesional dhe përgjegjësisë shoqërore. Pikërisht në këtë kontekst, libri “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” i profesorit, gazetarit dhe studiuesit të medias Musa Sabedini vjen si një akt profesional, intelektual dhe moral, që dëshmon se gazetaria e vërtetë nuk është vetëm profesion, por mision jetësor në shërbim të së vërtetës dhe demokracisë.
Duke qenë për dekada të tëra pjesë aktive e gazetarisë hulumtuese dhe autor i një sërë hulumtimesh që kanë shënuar debat publik në Kosovën e pasluftës, profesori, gazetari dhe studiuesi i medias Musa Sabedini ka theksuar se libri i tij më i ri, me titull “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, përfaqëson përmbylljen dhe kurorëzimin e një përvoje profesionale mbi 35-vjeçare në gazetari, me fokus të veçantë në gazetarinë hulumtuese.
Autori ka vlerësuar se finalizimi i këtij projekti jetësor nuk ka qenë një proces i lehtë, por as i pamundur, duke nënvizuar se përkushtimi afatgjatë ndaj profesionit dhe misionit të gazetarisë hulumtuese ka qenë shtysa kryesore për realizimin e tij.
Si autor i katër librave universitarë në fushën e medias, profesori Sabedini ka theksuar se kjo vepër është ndër të parat në hapësirën shqiptare që trajton në mënyrë të thelluar, sistematike dhe me pedantëri shkencore e praktike rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke ndërlidhur përvojën e drejtpërdrejtë nga terreni me reflektimin akademik.
“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në Kolegjin UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”.
101 pyetje dhe 101 udhëzime, boshti etik dhe praktik i librit
Një nga veçantitë kryesore të librit, sipas autorit, janë 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të ndërtuara si një udhërrëfyes etik, ligjor, psikologjik dhe profesional për gazetarët hulumtues, veçanërisht për studentët dhe gazetarët e rinj.
Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemat profesionale, por edhe përgjegjësinë morale që shoqëron çdo proces hulumtues. Ato janë personale, origjinale dhe burimore, të ndërtuara mbi përvojën e autorit, e cila përfshin edhe mbi 35 kërcënime me vdekje të evidentuara gjatë trajtimit të temave hulumtuese.
Në parathënien e librit, profesori Sabedini ka vënë theksin te një nga veçantitë kryesore të veprës: 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat synojnë të shërbejnë si bazë orientuese për gazetarët e rinj, por edhe si instrument reflektimi për profesionistët me përvojë.
“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”.
Një nga veprat e para shkencore – praktike në gazetarinë hulumtuese shqiptare
Si autor i katër librave universitarë në fushën e medias, Sabedini vlerëson se ky botim është ndër të parët që trajton me pedantëri shkencore dhe përvojë praktike misionin, rolin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke ndërlidhur punën në terren me reflektimin akademik.
Libri nuk konceptohet thjesht si manual profesional, por si një udhëtim i dokumentuar përmes përvojave reale, rreziqeve, dilemave etike dhe sfidave me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Ai mbështetet në një arkiv të pasur dekadash pune, në përvojën e autorit si ligjërues në Kolegjin UBT dhe në pjesëmarrjen e tij në 14 konferenca ndërkombëtare, ku ka bashkuar praktikën me kërkimin shkencor.
Sipas autorit, libri tejkalon kornizën e një botimi profesional dhe shndërrohet në një rrëfim të thellë mbi përvojën, pasionin dhe përkushtimin ndaj gazetarisë si mision jetësor.
“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, që sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”.
Gazetaria hulumtuese si shtyllë e demokracisë
Sipas Sabedinit, gazetaria hulumtuese është më shumë se profesion, ajo është një mision që bart rrezik real dhe përgjegjësi shoqërore. Ajo mbetet zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtëse e interesit publik dhe një nga shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne, sepse zbardh afera, ndriçon padrejtësi dhe nxit llogaridhënie institucionale.
Në një realitet ku informacioni manipulohet dhe presionet politike e ekonomike mbi mediat janë në rritje, autori vlerëson se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të avancohet si e mirë publike, me mbështetje institucionale, shoqërore dhe qytetare.
Në këtë kontekst, profesori Sabedini ka theksuar se çdo hulumtim bart në vete një mision, dhe çdo mision nënkupton rrezik real, duke e konsideruar gazetarinë hulumtuese si një profesion që ushqehet nga e vërteta dhe drejtësia dhe që mbetet në shërbim të shoqërisë dhe interesit publik.
“Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale”.
Një vepër për brezat e rinj
Me 718 faqe dhe i botuar nga Kolegji UBT, libri u dedikohet mbi të gjitha studentëve dhe gazetarëve të rinj, të cilët dëshirojnë të merren me këtë zhanër sfidues, të rrezikshëm, por thelbësor për shoqërinë.
“Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese; brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut,” thekson Sabedini, duke e përmbyllur librin si një thirrje për guxim, integritet dhe besnikëri ndaj së vërtetës./rajonipress/

