UBT News

Gazetari turk ndalohet nga policia pas raportimit për transferimin e Musialas te Galatasaray

Gazetari turk Burhan Can Terzi është ndaluar nga policia pasi raportoi se Galatasaray ishte pranë transferimit të yllit të Bayern Munichut, Jamal Musiala.

Sipas mediave turke, Terzi u ndalua me urdhër të kryeprokurorit publik të Bakırköyt, nën dyshimin për “përhapje publike të informacionit mashtrues”.

Ky raportohet të jetë rasti i parë i një gazetari sportiv me profil të lartë në Turqi që ndalohet nën akuza të tilla.

Terzi u lirua disa orë pas ndalimit dhe ndaj tij nuk u vendosën masa kufizuese.

Gazetari kishte raportuar më 26 korrik se Galatasaray ishte shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e Musialas. Megjithatë, klubi turk reagoi duke e mohuar kategorikisht këtë pretendim.

Pavarësisht lirimit të tij, ndalimi i Terzit ka shkaktuar vëmendje të madhe në Turqi, veçanërisht për shkak se bëhet fjalë për një raportim sportiv që lidhej me një prej futbollistëve më të njohur të Bayern Munichut.

D.L

Exit mobile version