Sa është çmimi i paqes? Përgjigjja e kësaj pyetje mund të jepet të hënën mbrëma pasi gazetari rus, Dmitry Muratov do ta shesë në ankand çmimin Nobel. Të ardhurat nga shitja do të shkojnë direkt për UNICEF-in, në përpjekjet e saj për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
Muratov e pranoi çmimin në tetor të vitit 2021. Ai themeloi gazetën e pavarur ruse, Novaya Gazeta, dhe ishte kryeredaktor kur ajo u mbyll në muajin mars në mes të shtypjes së Kremlinit ndaj gazetarëve dhe mospajtimit publik në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Ishte ideja e Muratov për të nxjerrë në ankand çmimin e tij. Përveç çmimit, ai do të dhurojë edhe 475 mijë euro. Ideja e donacionit, tha ai, “është t’u japë fëmijëve refugjatë një shans për një të ardhme”.
Muratov tha se është i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetim për shkak të konfliktit në Ukrainë.
“Ne duam t’ua kthejmë të ardhmen”, deklaroi ai.
Ai shtoi se është e rëndësishme që sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë të mos pengojnë ndihmat humanitare, si ilaçet për sëmundje të rralla dhe transplantet e palcës së eshtrave, të arrijnë tek ata që kanë nevojë.
Muratov e pranoi çmimin Nobel bashkë me gazetaren Maria Ressa nga Filipinet, vitin e kaluar. Dy gazetarët u nderuan për betejat e tyre për të ruajtur lirinë e fjalës në vendet e tyre përkatëse, pavarësisht se u sulmuan nga qeveritë e tyre dhe madje morën edhe kërcënime me vdekje./UBTNews/