Një gazetar rus, i cili akuzoi ushtrinë ruse për granatimin e qëllimshëm të një materniteti në qytetin ukrainas të Mariupol, është dënuar në mungesë me tetë vjet burg.
Një gjykatë në Moskë e shpalli sot Aleksandër Nevzorovin fajtor për përhapjen e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse, njoftuan mediat shtetërore.
Gjykata tha se ai do të vuante dënimin e tij nëse do të kthehej ndonjëherë në Rusi, përcjell UBT News.
Nevzorov u ndalua gjithashtu nga administrimi i përmbajtjes në internet për katër vjet.
Hetuesit hapën një çështje kundër tij vitin e kaluar për pretendimet e tij në mediat sociale.
Nevzorov, i cili drejton një kanal në YouTube me afro dy milionë abonentë, u largua nga vendi me gruan e tij në mars./UBTNews/