UBT News

Gazetarët që dokumentuan historinë e Kosovës: Ferid Selimi, Safet Zejnullahu dhe Musa Sabedini vlerësohen për kontributin në gazetari në kohën e okupimit

Në një ceremoni solemne të organizuar në Prishtinë për të nderuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ndarë mirënjohje të veçanta për më shumë se 400 profesionistë të medias nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe për gazetarë ndërkombëtarë të cilët kontribuan në raportimin nga Kosova gjatë periudhës së okupimit dhe luftës në vitet 1998-1999.

Mirënjohjet u ndanë për të njohur dhe vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të këtyre individëve në rrugën drejt lirisë së shtypit dhe të informimit gjatë kohës kur Kosova përballej me sfidat më të mëdha historike. Çdo mirënjohje u shoqërua me fjalë falenderimi dhe përshëndetje për të gjithë ata që me profesionalizmin dhe vendosmërinë e tyre, kontribuan në dokumentimin dhe shpërndarjen e lajmeve në një kohë të vështirë për vendin.

Ferid Selimi, dekan i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, u nderua me një nga mirënjohjet për kontributin e tij në fushën e gazetarisë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ai ka shprehur emocionin e tij për këtë vlerësim dhe ka falënderuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për vlerësimin dhe për njohjen e punës së tij dhe të të gjithë atyre që bashkëpunuan me të.

“Ishte fund korriku a fillim gushti i vitit 1983, (asokohe, unë 20 vjeçar) kur së bashku me Qani Mehmedin (Redaktor i atëhershëm në revistën javore “Zëri i Rinisë”, Qaniu tashmë i ndjerë) zhvilluam intervistën e parë me Nerimane Kamberin (aso kohe 16 vjeçare) që sapo kishte botuar romanin e saj të parë në gjuhën frënge në Belgjikë. Për kohën ishte sensacion, sepse Nerimanja 16 vjeçare ishte bërë autorja më e re shqiptare që kishte botuar roman.  Intervista me titull: “Vasha e ambicieve të mëdha” u botua në Zëri i Rinisë. Ishte ky shkrimi i parë imi më serioz në gazetari, e që më hapi udhë për gazetar.  Pas 41 viteve angazhim në gazetari, në fillim si ndjekës dhe shkrues i ngjarjeve, e më pas edhe në edukimin e brezave të rinj, në vitin 2024, AGK më ndan Mirënjohje me motivin: “Për kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99” Faleminderit!”, shkruan Selimi.

Safet Zejnullahu, ligjërues në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, është një nga ata gazetarë që kontribuoi gjatë periudhës së okupimit dhe luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Ai është nderuar me çmimin për “kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë”.

Përveç kontributit në fushën e gazetarisë, Zejnullahu vlerëson dhe përmend me respekt dhe mirënjohje kolegët dhe udhëheqësit e tjerë të QIK-ut dhe të zyrave të Kosovës nëpër botë, që ndihmuan në shpërndarjen e lajmeve dhe mundën terrin informativ.

“1990-1999 – koha kur gazetarët shqiptarë e fituan betejën e tyre kundër Serbisë. Më erdhi sot mirënjohja nga AGK për kontribut në gazetarinë e Kosovës në rrethana okupimi, aparteidi e lufte.  Faleminderit AGK! Kontributin më të madh në këtë periudhë (edhe jetësor, sepse nuk besoj se do ta kaloj asnjëherë atë angazhim, përkushtim e, mbi të gjitha, sukses e arritje kulmore si media) e kam dhënë në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Bashkë me kolegët e medieve të tjera, atyre vendore e atyre ndërkombëtare, e mundëm terrin informative të imponuar nga Serbia. Një luftë e fituar edhe në fushën e medias, një detyrë e kryer me nder nga të gjitha gazetarët”, shkruan Zejnullahu.

Zejnullahu duke falënderuar AGK-në, kujton edhe bashkëpunëtorët e asaj kohe të cilëve me emër e mbiemër ia rikujtoi dhe vlerësoi kontributin.

“Ndjej për borxh (për gjeneratat e reja) të sjell këtu emrat e të gjithë atyre që dhanë kontribut në QIK: Nismëtarët: Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja, Avni Spahiu, Lindita Aliu. Ekipi që barti barrën më të madhe në kohën më të vështirë: Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Sabedin Haliti, Muhamet Hamiti, Skender Hyseni, Hilmi Zogiani, Shefki Ukaj, Bajram Mjeku, Safet Zejnullahu, Vjosa Sadriu, Refki Morina, Nazim Lleshi, Ibrahim Gashi, Ramadan Muçolli, Sanije Berisha, Fatmir Hadri, Adnan Ruhani, Remzi Ademi, Edmond Hajrullaaga, Mujë Ferati, Behram Krasniqi, Ismet Berisha”, shkruan ligjëruesi Zejnullahu në rrjetin e tij social në Facebook. Pa harruar asnjëherë kontributin e udhëheqësve dhe personelit të zyrave të Kosovës anekënd globit, të cilët i shpërndanë lajmet tona (në shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht). Kontribut i veçantë: të gjithë kryetarët e Komisioneve për Informim nëpër të gjitha vendbanimet e Kosovës. Pa ta, informatat nuk do të arrinin me kohë dhe do të duhej kohë për t’i verifikuar. Shënim: Le të mos harrojmë se, në krye me Enver Malokun, QIK-u nxori gazetën e parë të mbrëmjes në Kosovë”, shkruan Zejnullahu.

Musa Sabedini, ligjërues në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, u nderua po ashtu me çmimin për “kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë”. Sabedini shprehet se ky vlerësim i jep vlerë dhe kuptim punës sfiduese të të bërit gazetari në Kosovë.

“Kjo është një mirënjohje e dhënë nga AGPK-ja, një falënderim nga zemra. Realisht ditën kur janë ndarë mirënjohjet isha në Tiranë dhe nuk kisha mundësi të isha prezent edhe pse realisht nuk më kanë informuar që do të marrë mirënjohje. Megjithatë pas katër çmimeve të fituara për gazetari hulumtuese dhe shumë mirënjohje e shpërblime tjera, që ndërlidhën me punën time profesionale në gazetari, edhe kjo mirënjohje i jep vlerë dhe kuptim punës sonë shumë sfiduese, e të dobishme për shoqërinë dhe vet ngritjen e cilësisë, në të bërit gazetari në Kosovë”, shkruan Sabedini në rrjetin e tij social.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova./UBTNews/

D.E

Exit mobile version