Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, ka thënë se kjo parti ka programin më të mirë, e që do të jetë i fokusuar në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe drejtësi.
Gaxherri tha se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti për gjashtë muaj ka qenë e përkushtuar në luftimin e pandemisë.
“Si gjithmonë Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur një program nga të gjitha subjektet politike dhe kësaj radhe me specifikat që ka Kosova me pandeminë, e cila ka shkaktuar probleme qoftë në ekonomi qoftë në shëndetësi dhe natyrisht që kësaj radhe edhe vetë zgjedhjet dhe programi është ndryshe. Megjithatë ne kemi dëshmuar për 6 muaj qeverisje se vërtetë kemi pasur përkushtim dhe kemi menaxhuar pandeminë më së miri ku jemi ranguar ndër vendet që ka menaxhuar pandeminë më së miri dhe njëkohësisht pakoja fiskale është më e mira në regjion. Duke u bazuar në buxhet ne kemi pasur një pako që ka qenë më e mira në regjion. Programi jonë është i përcaktuar në shëndetësi sepse specifikat e saj janë të veçanta pastaj në ekonomi në drejtësi dhe natyrisht edhe në arsim. Kryeministri i vendit Avdullah Hoti veç e ka shpalosur programin e LDK-së”, deklaroi ajo.
Gaxherri shtoi se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, madje ajo tha se planifikojnë që për gjashtë vjet të investojnë 7 miliardë në ekonominë e vendit.
“Pandemia ka shkaktuar dëme ekonomike në tërë globin dhe bota nuk është njëjtë sikur para pandemisë dhe njëkohësisht edhe ekonominë e brishtë të Kosovës e ka prekur dhe ka shkaktuar probleme të shumta. Por me kapacitet që ka pasur dhe mundësitë buxhetore Kosova ka pasur një pako më të mirë në regjion. Po mundohemi me i përkrah dhe mbështet bizneset dhe kategoritë sociale sepse është dyfishuar buxheti për ta edhe punëtorët të cilët janë përfshirë në tregun e ekonomisë. Kështu që me këto mundësi që kemi jemi duke u munduar të ballafaqohemi me pasojat që ka lënë pandemia. Duhet të shpresojmë që deri në fund të vitit 2021 do ta kalojmë këtë sëmundje të rëndë dhe natyrisht kemi programin për 6 vjet dhe me filluar me zhvillimin ekonomik duke u bazuar në buxhetin vendor dhe kreditë që kemi mundësi t’i marrim. Planifikojmë që për 6 vjet t’i fusim 7 miliardë në ekonominë e vendit”, shtoi ajo.
Gaxherri potencoi se LDK-ja është subjekt politik që ka ideuar pavarësinë e Kosovës dhe tani edhe slogani i saj është “Shteti Shtet”, duke shtuar se janë në garë për të dalë të parët, raporton EO.
“LDK-ja është subjekt politik që ka ideuar pavarësinë e Kosovës ka punuar shumë në shtendërtimin e Kosovës dhe tani ka ardhur koha t’i themi secilit se Kosova është shtet dhe natyrisht edhe slogan ynë është ‘Shteti Shtet’ dhe për t’u sjellë për shtetin shteti duhet të kemi përgjegjësi të lartë dhe të fillojmë me orientime të reja. Ne jemi në garë për të dalë të parët. Ne jemi 30 vjet që i shërbejmë vendit dhe asnjë proces nuk ka mundur të ecë përpara pa LDK-në. Jemi para qytetarëve me një program shumë konkret. Pa lidhjen Demokratike të Kosovë s’kishim probleme edhe me miqtë tanë ndërkombëtar e lëre më me institucionet ndërkombëtare. Ky është mandati i shtatë që garoj dhe qytetarët më kanë përcjellë gjithmonë dhe kam marrë besimin e tyre dhe përkushtimi im ka qenë në parime dhe në kërkesat e qytetarëve. Do të jem aty për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarët dhe unë mund të zotohem se do të vazhdojmë pa kompromis për ta luftuar të keqen çdo ditë sikurse tani”, deklaroi ai.