UBT News

Gattuso: Vuaj nga Myasthenia por nuk i frikësohem vdekjes

Skuadra e Napolit është duke kaluar nëpër një periudhë negative të rezultateve pa fitore në tre ndeshjet e fundit dhe duket se në formën e tyre ka ndikuar edhe situata jo e mirë shëndetësore e trajnerit Gennaro Gattuso.

Në fakt, ish mesfushori i Milanit në ndeshjet e fundit është paraqitur me syze dhe me njërin sy të mbyllur dhe u raportua se ai po vuan nga një sëmundje e quajtur “Myasthenia” e cila ka të bëjë me dobësimin e muskujve të qepallave të syrit dhe si rezultat ndodh mbyllja e pavullnetshme e syrit.

Tani në lidhje me këtë ka folur edhe vetë Gattuso duke zbuluar se atij i është përmendur edhe vdekja si pasojë e kësaj sëmundje.

“Sëmundja ime quhet Myasthenia dhe unë nuk jam vetja prej 10 ditësh. Kjo është hera tretë që më godet kjo sëmundje por kësaj radhe goditja është më e fortë. Më thanë që edhe mund të vdes dhe kam edhe një muaj jetë, por unë jam ende gjallë’, tha Gattuso.

“Të shohësh turbull është diçka shumë e rëndë por edhe kjo do të kalojë. I inkurajojë të gjithë të rinjtë që të mos dorëzohen kur diçka nuk shkon mirë. Jeta është e bukur. Kam 10 vite me këtë sëmundje por jam i bindur se syri im do të rikthehet prapë edhe pse thuhet se është diçka e pashërueshme. Besoj se së shpejti prapë do të dukem më i bukur.” tha në fund Gattuso.

Exit mobile version