UBT News

Gastronomët: S’i paguajmë gjobat, partitë politike s’po i respektojnë masat në tubime

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kundërshton tubimet e partive politike në prag të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se është e patolerueshme tubimi i qindra personave në tubimet e partive politike në kohë të pandemisë, përderisa ky sektor është dëmtuar me masa rigoroze.

Madje ai ka thënë se nuk do të paguajnë asnjë gjobë të shqiptuar në këtë periudhë për mosrespektim të masave anti-Covid, ngase sipas tij, partitë politike kanë shkelur çdo vendim të marrë nga institucionet.

“Përveç shkurtimit të orarit dhe masave ndaj gastronomisë, duke marrë një pjesë tjetër të gastronomisë siç janë klubet e natës dhe sallat e dasmave të cilat janë të mbyllura komplet qe 10 muaj, dhe në të njëjtën kohë ato salla të dasmave të cilat i kanë mbyllur po i shfrytëzojnë për tubime politike. Kjo është e papranueshme nga ana jonë. Në këtë rast nuk po i shohim më të arsyeshme asnjë dënim asnjë gjobë që iu ka vënë gastronomëve që të paguhen sepse ka pasur shumë dënime që kanë qenë 5 persona në tavolinë nëpër lokale të ndryshme, ndërsa na po i shohim nëpër tubime politike që janë me qindra persona në ambient të mbyllur dhe nuk po respektohet as distancë dhe as masat. Edhe orari ka qenë tepër i shkurtuar deri në ora 8, ndërsa ne po i shohim partitë politike që në fushata zgjedhore është duke thyer rregullat e orarit sepse po bëjnë tubime nëpër salla e oda të ndryshme jashtë orarit. Ne konkretisht po kërkojmë largimin e orarit ose largimin e kufizimit të orarit dhe njëkohësisht të mos paguhen më gjobat se nuk ka efekt”, shtoi Kllokoqi.

Sipas tij, nëse për partitë politike nuk ka as orar as distancë në fushata të tyre, atëherë ata kërkojnë që edhe heqjen e kufizimit të orarit dhe të vazhdohet me orar të plotë.

“Fillimisht ka rënë edhe kërkesa agregate. Një njeri ka dalë dhe ka frekuentuar një kafe rregullisht ai del shumë më pak edhe për arsye të buxhetit edhe për arsye të distancës ose frikës nga pandemia. Paralelisht me të kanë qenë edhe shkurtimi i tavolinave dhe distancën që është dashur me kriju në një lokal, kështu që bizneset kanë ma pak të hyra ndërsa të dalat i kanë të njëjta. Dhe për këtë kriza është thelluar shumë sidomos kohëve të fundit, e njëkohësisht pako e rimëkëmbjes nuk ka filluar të implementohet. Kështu që ne nëse pe shohim që te këta nuk ka as orar as distancë te fushata e tyre, atëherë ne po kërkojmë që edhe te ne të hiqet orari dhe të mos aplikohen standarde të dyfishta”, shtoi ai.

Gjatë së hënës kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se po respektojnë në përpikëri të gjitha masat

Kllokoqi, tha se nga qeveria kanë kërkuar që prioritet kryesor të jetë gastronomia, mirëpo nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre. Ai shtoi se deri më tani kanë humbur 10 mijë punëtorë vendet e punës, që i bie diku rreth 30% rritje të papunësisë.

“Nesër do të marrim vendimet e mëtutjeshme dhe te qeveria kërkojmë dhe kemi kërkuar që gastronomia të jetë prioritet në pakon e rimëkëmbjes, nga e cila ende nuk kemi diçka konkrete dhe nuk e shohim të arsyeshëm më orarin. Ne kemi 5 mijë dënime në gastronomi dhe asnjë te fushata zgjedhore. Ne do të bisedojmë rreth dënimit të cilat i kemi pranë shtetit. Deri më tani kanë humbur 10 mijë punëtorë vendet e punës dhe diku rreth 30% është rritja e papunësisë. Fillimisht të bëhet zgjidhja për këto biznese që kanë qenë të mbyllura dhe këta punëtorë që kanë humbur vendet e punës tu ndihmohet. Asnjëherë nuk do t’i paguajmë gjobat. Përderisa për ta nuk paska gjoba për ne ka gjoba, atëherë pse duhet t’i paguajmë ne”, deklaroi ai.

Exit mobile version