Gastronomët për të hënën kanë paralajmëruar një marsh-proteste në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat për mbyllje të bizneseve, për heqjen e dënimeve dhe subvencionimin e pagave si dhe qirave për shkak të pandemisë COVID-19.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi në një konferencë për media tha se sot kanë mbajtur një mbledhje emergjente, për kundërshtimin e masave antiCOVID-19.
Kllokoqi tha se rritja e numrit të infektuar me COVID-19 nuk është për fajin e gastronomisë, por për shkak të tubimeve zgjedhore dhe për këtë janë kundër shtrëngimit të masave.
“Konsultuam shumë ide për kundërshtimin e masave. Rastet e fundit që janë ngritur po besoj që nuk është faji i gastronomisë, është faji i qeverisë, ndërsa faturën po e paguan gastronomia. Fushatat politike, të cilat e kanë ngritur numrin e rasteve nuk është faj i gastronomisë, është kalkulim politik, ndërsa ne po kërkojmë vetëm mbijetesë. Rastet, jemi të gjithë të vetëdijshëm që janë rritur shkaku i fushatave politike dhe nuk e shohim vetën më fajtor. Për këtë, njëkohësisht i kundërshtojmë të gjitha masat që do t’i merr qeveria në ditët e ardhshme”, tha ai.
Në kundërshtim të masave, Kllokoqi ka paralajmëruar marsh të hënën nga ora 14:00 në sheshet e Prishtinës.
“Ne si shoqatë bashkërisht vendosëm që për kundërshtim të masave të hënën në orën 14:00 do të bëjmë një marsh prej sheshit “Zahir Pajaziti” deri te qeveria e Kosovës ku do t’i dërgojmë dënimet, dhe do t’i kundërshtojmë masat. Po ashtu pasi nuk ka subvencionime, do të kërkojmë hapje totale”, tha ai.
Kllokoqi tha se do të kërkojnë hapje totale të gastronomisë dhe nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga institucionet kompetente, ka paralajmëruar protesta më të ashpra për kundërshtimin e mbylljes së lokaleve