UBT News

Gastronomët kërkojnë të lejohet muzika pas orës 21:00

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shfuqizojë vendimin për ndaljen e muzikës pas orës 21:00. Sipas gastronomëve, ky vendim po e zvogëlon afarizmin e bizneseve në një orar kur pikërisht atëherë është esenciale të lejohet dhe rritet afarizmi nga ofrimi i aktiviteteve shërbyese.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës i ka bërë thirrje Kuvendit të miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përveç lejimit të muzikës deri në kohën që parashihet në orarin e punës, i bën thirrje që sa më shpejtë të votohet në Kuvend Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19. Në këtë Projektligj përveç tjerash, çfarë veçojmë si me shumë rëndësi dhe që me urgjencë të vihet në implementim, është Neni 7 dhe Neni 9. Neni 7 i këtij Projektligji, do të rendiste në nënparagrafin 2.14 të Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, nga norma standarde prej tetëmbëdhjetë përqind (18%) në atë të reduktuar prej tetë përqind (8%), për furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve të ushqimit. Neni 9 i këtij Projektligji, pas paragrafit 8, do të shtonte paragraf të ri me numrin rendor 9 në nenin 38 të Ligjit Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, që me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministri i Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve tremujore deri në dy (2) vite.”, thuhet në njoftimin e SHGK-së./UBTNews

Exit mobile version