UBT News

Gastronomët kërkojnë nga Qeveria t’i heqë masat antiCOVID

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një reagimi për media i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës t’i heqë masat antiCOVID, meqë po konsiderojnë se janë jo efektive.

ShGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë të mos e mendojë mbylljen totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi.

“Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna. Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi”, thuhet në reagim.

ShGK-ja thotë se përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken.

“Për të përfunduar, të gjitha këto dhe i tërë serioziteti i kësaj çështjeje, përveç tjerash shpjegohet më së miri me mesazhin që kemi kuptuar të gjithë me turmat e pakontrolluara të njerëzve, mbledhjet, organizimet dhe fushatat e padinjitetshme të politikanëve në zgjedhjet e fundit në Podujevë, etj”, thuhet në reagimin e ShGK-së./UBTNews

Exit mobile version