Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi deklaroi se koordinimi me terroristin Milan Radojiçiq është fatkeqësi për Kosovën. Në deklarimin e tij pas kërkesës për debat parlamentar nga PDK, Gashi deklaroi se kryeterroristi Radoiçiq ka kryer terrorist ndaj shtetit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se debati publik ka arritur në pikën e degjenerimit, për çka shtoi se është fatkeqësi për Kosovën.
“Është për keqardhje se ku ka arrit debati publik në Kosovë. Debati publik sot në Kosovë ka arritur në pikën e degjenerimit të vet se sa është i përfshirë terroristi Millan Radoiçiq në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës. Kjo është fatkeqësi për Kosovën, fatkeqësi e cila e dëmton sakrificën e secilit qytetar të Kosovës. E dëmton besimin e secilit qytetar të Kosovës. Sot çfarë po dëgjojmë këtu dhe ajo çka pamë dje është në vazhdën e logjikës të cilën LVV e ka ndërtuar si logjikë e përbaltjes dukje qenë vet e zhytur deri në fyt me kriminelë si Millan Radojiçiq. Ky është tmerri i demokracisë në Kosovë. Ky është tmerri i përfaqësimit në Kosovë. Çfarë përcaktimi është ky? Çfarë përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e tyre e grupit tyre parlamentar akuzon para, mbrapa, anash, djathtas, majtas, pështynë në tëra anët dhe këta entuziazmohen”, deklaroi ai.
Gashi shtoi se mentaliteti që është ndërtuar në këtë qeverisje është i gabuar dhe se interesi i Kosovës nuk është koordinimi me Millan Radoiçiqin.
“Çfarë është ky entuziazëm? Kush po gëzohet? Për çka po gëzohet? Po gëzoheni se kush është më tradhtar se tjetri? Po gëzoheni se kush i ka shërbyer më shumë Serbisë se tjetri, çka po gëzoheni, çka po duartrokitni? Kush kujt po i duartroket këtu? Ai është një terrorist i cili ka kryer akt terrorist ndaj shtetit të Kosovës. Ai terrorist ka vrarë një polic të Kosovës. Dhe ju dilni këtu sot dhe pa pikën e pafytyrësisë dhe mburreni”, shtoi Gashi.
Gjatë deklarimit të tij, ka pasur reagime të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka janë përfshirë edhe bashkëpartiakët e Gashit.
“Koordinimi me një terrorist është fatkeqësi kombëtarë, në rastin më të lehtë nëse jo koordinim për tradhti kombëtare. Dhe nuk duhet t’i duartrokitet një fatkeqësie kombëtare”, përfundoi Gashi.