Instituti GAP ka analizuar 51 thirrje të hapura nga MKRS gjatë periudhës 2021-2023, ku ka identifikuar sfida ne procesin e dhënies së granteve dhe subvencioneve. Në bazë të raportit “Sfidat në dhënien e subvencioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, digjitalizimi i gjithë procesit të ndarjes së granteve dhe subvencioneve është i domosdoshëm. Në prezantimin e këtij raporti janë përmendur edhe shkelje ligjore, ku përcaktohet afati për vlerësimin dhe nxjerrjen e rezultateve.
Rrona Zhuri, koordinatore e hulumtimeve në GAP, tha se MKRS është ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është një ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione, me rreth 38 për qind të gjithsej buxhetit të përgjithshëm të saj të dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Megjithatë, procesi i ndarjes së këtyre fondeve, që nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka hasur sfida të ndryshme përgjatë viteve. Këto sfida kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS. Disa nga sfidat që janë evidentura ndër vite janë mos funksionimi i sistemit online të Ministrisë si dhe platfomës e-Kosova, humbja e dosjeve ose dokumenteve të aplikuesve nga ministria. Mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit. Neglizhenca nga ministria në mbylljen e avancave nga përfituesit dhe kapacitetet e ulëta të Ministrisë në monitorimin e zbatimit të projekteve”, tha ajo.
Sipas saj, aplikimet në thirrjet e hapura bëhen përmes dorëzimit fizik të dokumenteve ose përmes e-mailit.
“Si zgjidhje e duhur në këtë situatë është digjitalizimi i këtyre proceseve, pra përdorimi i një platforme digjitale. Në këtë raport, Instituti GAP ofron një analizë të gjendjes së ndarjes së fondeve në këtë ministri si dhe diskuton sfidat më të shfaqura gjatë viteve dhe përfitimet që do të sillte digjitalizimi në këto procese”, shtoi Zhuri.
Në këtë raport janë analizuar 51 thirrje të hapura nga MKRS gjatë periudhës tri-vjeçare nga 2021-2023.
Edhe hulumtuesi Besart Zhuja theksoi domosdoshmërinë për digjitalizimin e procesit të granteve dhe subvencioneve.
“Pas Ministrisë së Bujqësisë, është ministria e dytë e cila ka një fond të madh për ndarje të fondeve publike. Në periudhën 2021-2023, ministria ka ndarë rreth 17 milionë euro për 2399 projekte, për individë dhe organizata të shoqërisë civile. Telashet me sistemin aktual të thirrjeve janë të shumta, ne po i listojmë disa kryesoret: tek sistemi i hapjes së thirrjeve nga fillimi ka disa thirrje të cilat nuk specifikohen objektivat qartë por ka edhe disa ku objektivat specifikohen qartë. Për shembull, e kemi rastin e fondit për mobilitet ku ndërtimi shumë i mirë i objektivave në thirrje ka treguar rezultate më të mira në fund. Për shembull, financimi i mbështetjes së përgatitjes së sportistëve për gara ndërkombëtare, siç ka qenë lojërat në Tokio ose lojërat në Paris, këto kanë dhënë rezultate të mira”, u shpreh ai.
Ai përmendi edhe shkeljet ligjore për përcaktimin e afatit për vlerësim nga MKRS, për çka përmendi edhe koston financiare për aplikim.
“Në analizën tonë kemi vërejtur që mesatarisht në këto thirrje që i kemi analizuar komisionit i është dashur 48 ditë kohë dhe gjithmonë ka pasur shkelje të ligjit ose rregullores së MRKS në të cilën përcaktohet afati prej 15 ditëve për vlerësimin dhe nxjerrjen e rezultateve. Përveç aspektit administrativ, digjitalizimi do të mundësonte edhe në uljen e kostove financiare duke u bazuar tek plani qeveritar për uljen e barrës administrative, kemi parë që janë rreth 20 thirrje në vit që hapen nga MKRS, ku në secilën thirrje ka 1500 aplikues. Në tryezën që kemi pasur me aplikuesit e me organizatat e shoqërisë civile, kemi kuptuar që kosto mesatare e një aplikimi, printimi dhe skanimi i të dhënave kushton tre euro. Sipas llogaritjeve tona i bie që 100 mijë euro në vit shpenzohen vetëm në këtë aspekt”, shtoi ai.
Në raportin e Institutit GAP përmendet edhe çështja e aspektit të mbylljes së projektit, për çka Zhuja theksoi se ka pasur raste ku dokumentacioni origjinal ka humbur ose është ngatërruar.