UBT News

​Gallup: Kosova e para në Evropë dhe e treta në botë në indeksin e ligjit dhe rendit

Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të sigurta në botë sipas raportit Global të Sigurisë 2025 të Institutit Amerikan Gallup.

Taxhikistani ka rezultatin më të lartë në botë në indeksin e Ligjit dhe rendit, me 97 nga 100, sipas raportit Global të Sigurisë më të fundit, i ndjekur nga Singapori (95), Kosova (94), Kina (93), Islanda (93), Vietnami (93).

Një grup shtetesh evropiane kanë shënuar 90 pikë ose më shumë në indeksin e ligjit dhe rendit, sipas Raportit Global të Sigurisë më të fundit: Kosova-94, Islanda-93, Norvegjia-92, Austria-91, Zvicra-91, Danimarka-90, Finlanda-90, Mali i Zi-90.

Ndërkohë, ka reaguar edhe ministri në detyrë i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka shkruar në Facebook se siguria e qytetarit është një nga arritjet më të mëdha të demokracisë dhe institucioneve të Republikës.

“Me 94/100 pikë, vendi ynë shënon një sukses të jashtëzakonshëm për vlerësimin e duhur të sigurisë, rendit dhe përkushtimit ndaj shoqërisë. Jemi të bindur se ky sukses është rezultat i profesionalizmit të institucioneve të sigurisë dhe etikës së lartë të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.

Sipas një njoftimit, Instituti Amerikan Gallup, përmes anketës botërore, u bën njerëzve në më shumë se 140 shtete dhe territore pyetjet e mëposhtme që matin sigurinë globale.

Rezultatet në indeksin e Ligjit dhe rendit janë ngushtë të lidhura me treguesit tradicionalë të zhvillimit, duke përfshirë të ardhurat globale, shëndetësinë, sigurinë ushqimore dhe normat e vrasjeve.

Indeksi i Ligjit dhe Rendit mat nivelin e sigurisë që të anketuarit raportojnë për veten dhe familjet e tyre.

Ky indeks përbëhet nga dy elementë kryesorë, ku njëri përfshin besimin e të anketuarve në policinë lokale, ndërsa tjetri lidhet me dy pyetje mbi përvojat e tyre personale me krimin, si vjedhjet apo sulmet fizike./S.K/KP/

Exit mobile version