Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi punimet që po zhvillohen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila po kalon një proces të thellë restaurimi dhe modernizimi.
Sipas ministrit Çeku, projekti ka për qëllim ta transformojë këtë institucion në një hapësirë bashkëkohore, funksionale dhe inspiruese, si për artistët, ashtu edhe për publikun.

Përveç rinovimit të plotë të ndërtesës ekzistuese, po krijohen gjithashtu 400 metra katrorë hapësira të reja nëntokësore.
Ato do të shërbejnë për ruajtjen dhe inventarizimin e koleksionit shtetëror të veprave të artit, duke i përmbushur standardet moderne muzeale.
Ky investim, që kap vlerën prej 1.5 milionë euro, pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm, dhe do të hapë rrugën për një etapë të re për artin pamor në Kosovë.
“Galeria Kombëtare po kthehet në një hapësirë moderne, funksionale dhe frymëzuese për artistët dhe publikun,” tha Çeku, duke theksuar angazhimin e ministrisë për përmirësimin e infrastrukturës kulturore në vend. /A.Z/UBT News/