Galatasaray ka nderuar kujtimin e legjendës së klubit, Xhevat Prekazit, i cili ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare, duke publikuar një video me disa nga momentet më të bukura të tij me fanellën e skuadrës turke.
Në videon e publikuar, klubi nga Stambolli ka rikthyer në vëmendje golat spektakolarë të futbollistit nga Mitrovica, i cili shquhej për teknikën, goditjet e fuqishme nga distanca dhe aftësitë e jashtëzakonshme individuale.
Prekazi ishte një prej figurave të rëndësishme në historinë e Galatasarayt, me të cilin fitoi dy tituj të kampionit të Turqisë, në sezonet 1986/87 dhe 1987/88. Para ardhjes së tij, klubi turk kishte pritur plot 17 vjet për të fituar titullin e kampionit.
Gjatë periudhës 1985–1991, Prekazi regjistroi 229 paraqitje me fanellën e Galatasarayt, duke shënuar 44 gola.
Videoja e publikuar nga klubi përmban edhe një deklaratë të veçantë të vetë Prekazit, ku ai kishte shprehur dëshirën që edhe pas vdekjes të mbetet i lidhur me dy klubet e zemrës, Galatasarayn dhe Partizanin.
“Kur të vdes, pasi të gjithë asaj rruge jemi, i them gruas time, dua të ma vendosin në arkivol fanellën e Galatasarayt, por edhe të Partizanit, natyrisht”, dëgjohet duke thënë Prekazi në videon e publikuar.
Me golat, teknikën dhe kontributin e tij, Xhevat Prekazi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Galatasarayt, duke mbetur një emër i paharruar për tifozët e klubit turk.
D.L
