Baleti Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të El Salvadorit, do të prezantojë tri mbrëmje gala të përbashkëta më 8, 9 dhe 10 maj në Teatro Nacional de El Salvador, në San Salvador.
Gjatë këtyre netëve artistike, Baleti Kombëtar i Kosovës do të interpretojë veprën “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros, ndërsa Baleti Kombëtar i El Salvadorit do të sjellë “The Invisible Trace”, me koreografi nga Pepe Hevia.
Kjo ngjarje realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës, Ambasadës së Kosovës në Panama, ambasadores Heroina Telaku, si dhe Ministrisë së Kulturës së El Salvadorit dhe Baletit Kombëtar të këtij shteti.
Ky bashkëpunim shënon një moment të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare artistike, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve dhe duke afirmuar praninë e Baletit Kombëtar të Kosovës në arenën globale.
