UBT News

Futbollistja kosovare e siguroi medaljen e argjendtë olimpike, nesër e kërkon të artën

Kosovare Asllani do ta kërkojë nesër medaljen e artë në futboll me Suedinë në Olimpiadën e Tokios. Ajo tashmë e ka siguruar medaljen e argjendtë olimpike.

Kosova i siguroi dy medalje të arta në Olimpiadën e Tokios përmes xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Mirëpo, një tjetër medalje në “Tokyo 2020” do ta fitojë gjithsesi edhe një sportiste kosovare, ani pse e përfaqëson një vend tjetër.

Bëhet fjalë për futbollisten Kosovare Asllani, e cila e përfaqëson Suedinë në Lojërat Olimpike. Suedezet janë kualifikuar në finale të Olimpiadës në futboll, që nënkupton se Kosovarja me shoqe e kanë siguruar tashmë medaljen e argjendtë.

Ndërkaq, futbollistja e lindur dhe e rritur në Suedi do ta kërkojë nesër medaljen e artë. Suedezet do të luajnë në finalen e madhe me Kanadanë, në ndeshjen që do të luhet nga ora 04:00 e mëngjesit me kohën tonë reale.

Pra, edhe Kosova do të ketë hise në këtë sukses të sportistes kosovare, e cila ka arritur suksese të një jashtëzakonshme në karrierë. E kohë pas kohe, futbollistja e Real Madridit nuk ka hezituar ta formojë shqiponjën dykrenore kur ka shënuar gola për Suedinë, duke e konfirmuar kështu afërsinë që e ka për vendin e prindërve të saj, të cilin e ka në zemër.

Exit mobile version