Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, zbuloi dje se Besfort Zeneli nuk ka pranuar t’i bashkohet Dardanëve për ndeshjet e shtatorit, edhe pse kishte marrë ftesë nga trajneri Franco Foda për duelet ndaj Rumanisë dhe Qipros.
Sot, vetë futbollisti kosovar, vëlla i Arbër Zenelit, ka konfirmuar se është përqendruar në mundësinë e lojës për Suedinë, duke hequr dorë përfundimisht nga mundësia e të luajturit për Kosovën, raporton “Gazeta Express”.
“Unë u ftova së fundmi nga Kosova, por e refuzova ftesën. Tani më takon mua të sigurohem që të luaj aq mirë sa të jem i përzgjedhur për kombëtaren suedeze në të ardhmen. Ndihem mirë që e mora këtë vendim. Suedia është një zgjedhje më e drejtë për mua,” deklaroi Zeneli për “Sportbladet”.
21-vjeçari, i cili po shkëlqen në fanellën e Elfsborgut, ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Kombëtares së Kosovës, të cilët e kontaktuan dhe e kërkuan. Megjithatë, në mendjen e tij është vetëm Suedia./UBTNews/