Ish-lojtari i Newcastle United dhe Hull Cityt, Marcus Maddison, është dënuar me 20 muaj burg për një sulm ndaj një gruaje 60-vjeçare në muajin shtator.
Maddisonit iu dha dënimi i gjatë nga Gjykata e Teesside pasi ai e pranoi se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore gruas në fjalë.
29-vjeçari kishte luajtur për Darlington FC në National League North kur ndodhi incidenti. Që atëherë, klubi ka insistuar se ka një tolerancë zero për sjelljet abuzive.
Klubi konfirmoi se kontrata e tij ishte ndërprerë me pëlqim të ndërsjellë pas një hetimi të menjëhershëm disiplinor.
Sipas “BBC News”, një zëdhënës i klubit tha: “Darlington FC është një klub në pronësi të tifozëve dhe ka zero tolerancë ndaj diskriminimit, dhunës ose sjelljes abuzive”.