Pas ndeshjeve me Kombëtaren shqiptare në Nations League, legjionarët kuqezi kanë shkëlqyer në klubet e tyre, duke kontribuar me gola dhe paraqitje të shkëlqyera.
Rey Manaj u rikthye te goli në fitoren 3-2 të Sivasspor ndaj Gaziantep, duke shënuar në minutën e 37-të.
Myrto Uzuni gjithashtu u aktivizua në pjesën e dytë për Granada-n, duke barazuar në minutën e 55-të në një ndeshje që përfundoi 2-2 ndaj Elche.
Cristian Shpendi, sulmues i Shpresave, shndërroi një penallti në gol në fundin e pjesës së parë për Cesenën. Goli i tij në barazimin 2-2 ndaj Modenës ishte i treti në kampionat për të.
Në Itali, Ardian Ismajli shkëlqeu në ndeshjen e Empolit ndaj Juventusit, duke u shpallur lojtari i ndeshjes në barazimin 0-0. Ismajli u vlerësua me notën 7.5 nga saiti i specializuar për statistika Sofascore.
Berat Gjimshiti bëri rikthimin e tij në fushë me Atalantën, pas një dëmtimi që e mbajti jashtë në dy takimet e para të Nations League. Ai ishte titullar në fitoren 3-2 ndaj Fiorentinës.
Kristjan Asllani luajti një ndeshje të mirë si titullar për Interin në sfidën ndaj Monzës, ku u vlerësua mirë për performancën e tij.
Në Korenë e Jugut, Jasir Asani u shpall lojtari më i mirë i muajit gusht për Gwangju, duke realizuar dy gola në ndeshjet ndaj Jeonbuk dhe Gangwon.
Pjesë e formës së mirë të legjionarëve janë edhe Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Medon Berisha, Amir Abrashi, Arbnor Muja, dhe Mirlind Daku, ndërsa Ernest Muçi, Arbër Hoxha, dhe Nedim Bajrami dhanë kontribut si zëvendësues./UBTNews/