Futbollistët dhe anëtarët e tjerë të klubeve të Premierligës do të duhet të vaksinohen kundër Covid-19 për shkak të frikës se virusi mund ta pengojë futbollin sezonin e ardhshëm.
Vaksinimi është pjesë e planit të gjerë të qeverisë britanike për t’iu kërkuar të gjithë të pranishëm në ndeshjet e futbollit të dëshmojnë se kanë “pasaportë të Covidit” nga 1 tetori. Lojtarët duhet t’i marrin të dy dozat e vaksinës, sipas Gola.com, transmeton Gazeta Express.
Si pasojë, Premierliga iu ka bërë thirrje të gjitha klubeve të veta t’i nxisin lojtarët dhe anëtarët e vet t’i marrin vaksinat sa më shpejt.
Që prej qershorit 2020, liga elitare angleze i ka detyruar lojtarët të testohen dy herë në javë për t’u siguruar se gara mund të vazhdojë.
Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme më, pasi vetëm vaksinimi do të merret parasysh në Britani, që nënkupton se lojtarët dhe stafi duhet të vaksinohen.
Kjo vjen si pasojë e rritjes së madhe të rasteve me koronavirusit, variantit indian delta dhe frikës për një valë të tretë. Vetëm këtë javë u shënuan 46 mijë raste të reja në Britani.