UBT News

Futbolli – sport apo biznes?

Në ditët e sotme, futbolli dhe biznesi kanë krijuar një lidhje të ngushtë mes vete, duke na ofruar një realitet të ri për këtë sport.

Një nga çështjet më të diskutuara mes lidhjes së futbollit dhe biznesit është rritja e shumës së transferimeve me shifra marramendëse për lojtarët. Klubet e futbollit po shpenzojnë miliarda euro në transferime për të siguruar lojtarët më të mirë në botë. Kjo ka sjellë rritje të jashtëzakonshme në çmimet e lojtarëve në treg, duke sfiduar financat e klubeve.

Në krahasim me vitet e mëparshme, më saktësisht periudhën e vitit 2000, vlera më e lartë e një lojtari në treg arrinte një shifër prej 35 milionë euro. Bëhet fjalë për Hernan Crespon, i cili atë kohë u aktivizua te Parma dhe më pas u transferua te Lazio për shumën e 35 milionë eurove, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë i asaj periudhe.

Sot një lojtar me cilësi mesatare arrin shifrën e 30-40 milionëve, ndërsa sa i përket transferimit më të shtrenjtë në histori ai mban emrin e Neymar Jr. i cili u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germain për 222 milionë euro.

Megjithatë, përveç rritjes së transferimeve, përvojat e ndryshme biznesore kanë ndikuar në infrastrukturën e klubeve dhe mënyrën sesi ato operojnë. Një rast i mirë është rritja e marketingut dhe sponsorizimeve, që kanë bërë klube të mëdha si Real Madrid, Manchester United, Liverpool, Bayern Munich etj., të cilat edhe janë liderë në fitime të kësaj pjese. Megjithatë kjo ka sjellë debate duke akuzuar klubet se kanë vënë para biznesin në vend të vlerave sportive.

Për sa i përket pesë ligave më të mëdha në Evropë, Premier League kryeson renditjen e fitimeve nga sponsorizimet pasi ajo gjeneron mbi 1 miliard funta në vit. Bundesliga vjen e dyta me një marrëveshje prej 641 milionë funta dhe La Liga e treta me rreth 592 milionë funta në sezon nga sponsorizime të ndryshme.

Përfundimisht derisa lidhja midis futbollit dhe biznesit vazhdon të rritet, është e rëndësishme që futbollistët, tifozët dhe sportdashësit të kujdesen për imazhin sportiv duke mos ia humbur vlerat, pavarësisht se si zhvillohet në këtë aspekt./UBTNews/

Shkroi: Arti Haziraj

Exit mobile version