Salvatore “Totò” Schillaci, një nga emblemat e futbollit italian të viteve ’90, ka ndërruar jetë sot në moshën 59-vjeçare. Ai kishte qenë i shtruar në repartin e Pneumologjisë në spitalin Qytetar të Palermos, ku gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm në orët e fundit.
Schillaci, i njohur si “Bombarduesi”, ishte një futbollist i talentuar që kishte një ndikim të thellë në historinë e futbollit italian, veçanërisht gjatë Kupës së Botës 1990, ku ai ishte një nga protagonistët kryesorë, duke shënuar gola vendimtare që i ndihmuan Italisë të arrijë në fazat e fundit të turneut.
Ish-kampioni kishte luftuar me kancerin e zorrës së trashë për një kohë të gjatë, një sëmundje që kishte ndikuar seriozisht në shëndetin e tij. Pas lajmit të ndarjes nga jeta, kryebashkiaku i Palermos, Roberto Lagalla, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Schillaci dhe ka njoftuar se administrata komunale do të vendosë stadiumin “Barbera” në dispozicion për përgatitjen e funeralit të tij, si një nderim për kontributin e tij në futboll dhe për qytetin e Palermos.
Lagalla tha: “Për Italinë, sytë dhe golat e Schillaci përfaqësonin simbolin e netëve magjike të Kupës së Botës ’90, por për Palermon, ai ishte shumë më tepër. I shpreh ngushëllimet e mija dhe të Palermos familjes së Totò Schillaci në këtë moment dhimbjeje të thellë.”
Vdekja e Schillaci lë pas një boshllëk të madh në botën e futbollit, duke u kujtuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe për emocionet që sjellin ndeshjet e tij. Ai do të kujtohet si një nga legjendat e vërteta të sportit./UBTNews/