Një grup prej 12 klubeve elitare angleze, spanjolle e italiane në mënyrë dramatike e kanë ndarë futbollin evropian të dielën mbrëma, duke njoftuar për formimin e një Superlige të Evropës. Klubet po largohen nga Liga e Kampionëve e drejtuar nga UEFA, përkundër paralajmërimeve se mund të përjashtohen nga garat vendore apo të përballen me masa ligjore.
Lëvizja e madhe për të tronditur sportin më të madh në botë pjesërisht është i orkestruar nga pronarët amerikanë të Arsenalit, Liverpoolit e Manchester Unitedit që po ashtu kanë klube në SHBA në liga të mbyllura – një model që po mundohen ta bëjnë edhe në Evropë.
Lufta për pushtet erdhi pasi klubet rebele hodhën poshtë të premten një premtim për të mbështetur planin e UEFA-s për të zgjeruar Ligën e Kampionëve duke filluar nga viti 2024. Marrëveshja u krijua për të qetësuar dëshirat e tyre për më shumë ndeshje, me sa duket pasi nuk po mund të kontrollonin shitjet e të drejtave në garën ekzistuese.
Plani për Superligën Evropiane së pari ishte bërë publike në janë, por u rishfaq gjatë fundjavës.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, do të jetë kryetari themelues i Superligës, që ka thënë se ka synim “që të nisë sa më shpejt të jetë e mundur” si një garë me 20 klube që do të luajnë në mesjavë si Liga e Kampionëve e Liga e Evropës.
“Ne do të ndihmojmë futbollin në çdo nivel dhe do ta dërgojmë në vendin që i përket në botë”, ka thënë Perez. “Futbolli është sporti i vetëm global me më tepër se 4 miliardë tifozë dhe përgjegjësia jonë si klube të mëdha është të reagojmë ndaj dëshirave të tyre”.
Asnjë dëshmi nuk është prezantuar se adhuruesit e duan Superligën. Grupet e tifozëve nëpër Evropë javëne kaluar kanë kritikuar edhe planin për zgjerimin e Ligës së Kampionëve.
Vetëm 12 klube kanë nënshkruar deri më tash për Superligën Evropiane – asnjë nga Franca e Gjermania – por, liga e re synon të ketë edhe tre anëtarë tjerë të përhershëm. Barcelona e Atletico Madridi janë klubet tjera themeluese, përkrah Juventusit, Milanit e Interit. Pesë vete do të mbeten të hapura për t’u vendosur çdo vit se cili do ta zë atë vend bazuar në rezultatet e stinorit të kaluar.
UEFA kishte paralajmëruar klubet kundër bashkimit në këtë “projekt cinik”, duke thënë se kjo do t’i pezullonte nga garat tjera – si vendore, ashtu edhe evropiane e botërore. Po ashtu u është thënë se lojtarëve të tyre mund t’u mohohet mundësia që të luajnë për përfaqësuese.
Deklarata ishte lëshuar e përbashkët me ligat dhe federatat nacionale të Anglisë, Spanjës e Italisë.
Anglia ka më së tepërmi klube, gjashtë sosh, ku është bashkuar edhe Chelesa e Manchester City, që do të luajnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve këtë muaj. Po ashtu është përfshirë edhe Tottenhamit, që është jashtë Top 4 në Premier League, që do ta kualifikonte në Ligën e Kampionëve stinorin e ardhshëm.
“Duke bërë së bashku klubet më të mëdha të botës dhe lojtarët që të luajnë mes vete gjatë stinorit, Super Liga do të hapë një kapitull të ri në futbollin evropian. Do të sigurojë garë të nivelit botëror, si dhe do të rrisë përkrahjen financiare për piramidën më të gjerë të futbollit”, ka thënë Joel Glazer, bashkëpronari i Manchester Unitedit dhe zëvendëskryetari i Superligës Evropiane.
Një zëvendëskryetar tjetër i Superligës do të jetë Andrea Agnelli, që të dielën ka dhënë dorëheqje nga roli i tij si kryetar i Asociacionit të Klubeve Evropiane, që ka punuar me UEFA-n për të zgjeruar Ligën e Kampionëve në 36 klube. Agnelli ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e tij në komitetin ekzekutiv të UEFA-s, duke prishur kështu miqësinë e ngushtë që kishte me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin.
“Ne jemi bërë bashkë në këtë moment kritik, duke mundësuar garat evropiane që të transformohen”, ka thënë Agnelli.
Klubet rebele janë të gjitha pjesë të Asociacionit të Klubeve Evropiane që ka punuar në një marrëveshje me UEFA-n, të nënshkruar në vitin 2019, që obligon gjitha klubet anëtare të marrin pjesë dhe respektojnë Ligën e Kampionëve dhe garat tjera evropiane deri në stinorin 2023-24.
Derisa FIFA kishte lëshuar në janar një komunikatë duke paralajmëruar lojtarët se nëse marrin pjesë në Superligën Evropiane mund t’u mohohet e drejta të luajnë në Kampionat Botëror, federata botërore nuk e ka mohuar se presidenti i saj Gianni Infantino, është përfshirë në bisedimet me zyrtarët, përfshirë Florentino Perezin e Real Madridit.
“FIFA vetëm mund ta shpreh mosmiratimin për ‘një ligë të mbyllur të shkëputur evropiane’ jashtë strukturave të futbollit ndërkombëtar”, është thënë në një përgjigje të FIFA-s.
Superliga ka konfirmuar të dielën se secili nga 15 anëtarët themelues do të ketë përqindje të së paku 3.5 miliardë euro që do të jenë fillimisht në grantet infrastrukturore.
AP më herët kishte njoftuar se paratë do të ndahen në katër kategori. Ku gjashtë klubet e para do të marrin nga 350 milionë euro secila. Gara do të nisë me dy grupe nga dhjetë skuadra, ku tri klubet e para në grupe do të avancojnë tutje në çerekfinale. Klubet që përfundojnë në pozitat katër e pesë do të luajnë në plejof për të kompletuar çerekfinalen. Faza nokaut do të përfshijë sistem vajtje-ardhje në çerekfinale dhe gjysmëfinale, para se të luhet vetëm një ndeshje finale.
Superliga Evropiane shpreson të gjenerojë 4 miliardë euro në vit nga të hyrat nga transmetuesit.
Në krahasim, UEFA ka thënë se të hyrat totale komerciale ishin 3.25 miliardë euro në secilin nga tre stinorët e fundit nga shitja e të drejtave të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Superkupës së UEFA-s.
“Ne do të shqyrtojmë gjitha masat që kemi në dispozicion, në të gjitha nivelet, si gjyqësore ashtu edhe sportive, për të parandaluar këtë. Futbolli është i bazuar në garat e hapura dhe merita sportive; nuk mund të jetë në mënyrë tjetër”, ka thënë UEFA për Superligën Evropiane.