Dillian Whyte ka thënë se Tyson Fury ka marrë shumë lëvdatat për fitoret e tij për titullin e botës dhe se ai nuk mund ta shpallë veten numër një në botë në kategorinë e rëndë.
Fury e fitoi titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC kur e shkatërroi Deontay Wilderin në shkurt të vitit 2019, duke e nisur mbretërimin e dytë si kampion pasi e kishte mposhtur Wladimir Klitschkon me pikë për t’i fituar edhe brezat WBA, IBF dhe WBO në nëntor 2015, transmeton Gazeta Express.
Por Whyte beson se lëvdatat që i janë bërë Furyt për fitoren kundër Klitschkos shumë vite më parë ishin të tepërta.
“Të gjithë e lejojnë atë të flasë broçkulla. Është bezdisëse. Klitschko ishte luftëtar i madh, kampion i madh, por kur ai luftoi kundër Klitschkos, unë s’e di çfarë ndodhi me Klitschkon atë ditë”, tha Whyte.
“Vladimir, nganjëherë ishte i mirë por nganjëherë tjetër, nuk dukej sikur kishte ardhur për të luftuar”, shtoi ai.
Whyte e mposhti Alexander Povetkinin me një paraqitje shpërthyese në rimeçin e tyre muajin e kaluar, duke ia shtuar vetes gjasat për të luftuar për titull në të ardhmen.
“Fury dhe Wilder marrin shumë lëvdata për rekordet e tyre të arritura lehtë ndaj më të dobëtëve. Unë i kam mposhtur tre boksierë (së fundmi). Fury e quan veten si më të mirin në histori, por ai i ka refuzuar luftërat kundër meje, madje edhe kur është urdhëruar nga WBC-ja. Ai është qesharak”, shtoi Whyte.