Tyson Fury vazhdon të insistojë se është i pensionuar nga boksi, por nuk hedh krejtësisht poshtë mundësinë për t’u kthyer në ring.
I pyetur përsëri për të ardhmen e tij, ‘Gypsy King’ ka thënë se nëse kthehet në ring një ditë, do të ishte ditë e trishtë për të, pasi do ta bënte për para.
Gjithsesi, ai ka sfiduar të tjerët t’i ofrojnë gjysmë miliardi në tavolinë, për t’ia testuar moralitetin.
“Nëse kthehem në ring, do të jetë ditë e trishtë për mua”, ka thënë Fury për ‘Telegraph’.
“Do të jetë dita kur paratë kanë tejkaluar moralitetin tim, sepse unë i vë arritjet para parave. Por nëse dikush dëshiron të ofrojë gjysmë miliardi në tavolinë, unë do ta testoj moralitetin, sigurisht”, ka shtuar kampioni i WBC.
Fury ka thënë se dëshironte pensionimin qysh kur kompletoi trilogjinë me Deontay Wilder.
Megjithatë, gjasat janë të mëdha që ai të kthehet në ring për duelin që unifikon titujt – atë ndaj fituesit të Joshua-Usyk.