Ylli brazilian Vinicius Junior ka shkëlqyer në një mbrëmje të jashtëzakonshme në Champions League, duke shënuar tre gola në pjesën e dytë gjatë ndeshjes ndaj Borussia Dortmundit, ku Real Madrid triumfoi me rezultatin 5-2.
Pas ndeshjes, Vinicius ndau disa nga mendimet e tij, duke theksuar: “Sekreti i përmbysjes? Të besojmë te vetja. E dimë se në shtëpi, me tifozët tanë, gjithçka mund të ndodhë. Kur arritëm në dhomat e zhveshjes, ishim shumë të qetë dhe dëgjuam vetëm trajnerin, i cili tha se nëse ne shënojmë të parin, do ta përmbysnim. Ia dolëm sërish, falë tifozëve dhe skuadrës që dhanë gjithçka. Por duhet të përmirësohemi dhe të luajmë kështu që nga fillimi. Nëse jo, trajneri nuk e duron dot!”
Ai gjithashtu komentoi mbi ndryshimet strategjike që bënë në pjesën e dytë: “Trajneri gjithmonë thotë se duhet të gjejmë mënyrë për t’i bërë ndeshjet më të lehta. Ne ndryshuam rreshtimin dhe dinamikën. Kështu duhet të luajmë; ky është kompeticioni ynë dhe duam ta fitojmë përsëri.”
Kur u pyet për bisedën me Ançelotin pas ndeshjes, Vinicius tha: “Unë gjithmonë mund të jap më shumë. Jam vetëm 24 vjeç dhe dua të qëndroj përgjithmonë te Real Madrid. Të bëj shumë gjëra për këtë klub, i cili më ka dhënë gjithçka që kur kam ardhur.”
Vinicius përfundoi duke shprehur entuziazmin për ndeshjen e ardhshme: “Tani shkojmë me gjithçka drejt ‘El Clasico’. ‘Bernabeu’, shtëpia jonë, tifozët. Le të luftojmë për gjithçka këtë sezon, si gjithmonë.”