Futbolli evropian sjell sonte dhe gjatë vikendit disa përballje interesante ku në qendër të vëmendjes do të jenë edhe futbollistët shqiptarë.
Beşiktaş – Erzurumspor, ora 20:00. Mbrëmjen e së premtes e hapin Kristjan Asllani dhe Milot Rashica, të cilët me fanellën e Beşiktaşit do të kërkojnë një tjetër paraqitje të mirë ndaj Erzurumsporit. Tifozët shqiptarë do t’i kenë sytë te dyshja kuqezi, në një sfidë që Beşiktaşi synon ta kalojë me sukses.
Venezia – Fiorentina, ora 20:45. Pak më vonë në Itali, Albion Rrahmani me Venezian do të ketë përballë Fiorentinën. Sulmuesi shqiptar do të kërkojë të lërë gjurmë në këtë përballje dhe të ndihmojë skuadrën e tij në një sfidë aspak të lehtë.
Hoffenheim – Stuttgart, ora 15:30. Të shtunën, radha i vjen Fisnik Asllanit me Hoffenheimin, që pret Stuttgartin. Një përballje interesante në Bundesligë, ku Asllani synon të jetë protagonist dhe të ndihmojë Hoffenheimin për të marrë pikët e plota.
Sunderland – Arsenal, ora 21:00. Mbrëmjen e së shtunës vjen një nga ndeshjet më të mëdha të vikendit për tifozët shqiptarë. Granit Xhaka me Sunderlandin do të përballet me ish-skuadrën e tij, Arsenalin. Një sfidë me shumë emocione për mesfushorin shqiptar, i cili do të ketë përballë një kundërshtar të fortë dhe një duel që premton shumë spektakël.
Sassuolo – Juventus, ora 20:45. Vikendi mbyllet të dielën me Edon Zhegrovën dhe Juventusin, që udhëtojnë te Sassuolo. Zhegrova do të jetë një nga emrat që tifozët shqiptarë do ta ndjekin me interes, ndërsa Juventusi do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv në kampionat.
Pesë ndeshje, disa prej futbollistëve tanë më të njohur dhe plot emocione për t’u ndjekur. Nga Beşiktaşi te Juventusi, nga Xhaka te Zhegrova, shqiptarët janë sërish në qendër të vëmendjes në futbollin evropian.
D.L
