Kombëtarja shqiptare është futur në javën vendimtare të përgatitjeve për edicionin e ri kualifikues për Kupën e Botës. Trajneri Silvinjo pritet të shpallë listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë cikël në fund të javës, ndërkohë që legjionarët e Kombëtares vazhdojnë të tregojnë formë të shkëlqyer me klubet e tyre.
Mirlind Daku ka qenë një protagonist absolut për Rubin Kazan në fitoren 2-1 ndaj Spartak Moskës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi të dy golat e fitores që në pjesën e parë të ndeshjes, duke e çuar numrin e tij të golave në kampionat në 11. Performanca e tij ka qenë një ndër arsyet kryesore që ekipi i tij të arrijë tri pikët e rëndësishme.
Rrugën e rrjetës këtë fundjavë e gjeti edhe Anis Mehmeti. Futbollisti kuqezi realizoi një penallti të sigurt në minutën e 54-t të ndeshjes Bristol City – Hull City, duke vendosur baraspeshën 1-1 në këtë përballje. Në fund, ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Mehmeti vazhdon të tregojë formë të mirë për ekipin e tij.
Qazim Laçi dha një asist të rëndësishëm për Sparta Pragën në derbin çek të kampionatit, ku skuadra e tij mundi 2-0 Slavia Pragën. Në minutën e 51-të, mesfushori kuqezi bëri një pasim të saktë nga goditja e këndit për Zelenyn, i cili shënoi dhe zhbllokoi takimin, duke e çuar ekipin e tij drejt fitores.
Nga lojtarët e Kombëtares, disa prej tyre u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre këtë fundjavë. Mes tyre ishin Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Amir Abrashi, Medon Berisha, Adrion Pajaziti, Feta Fetai, Jasir Asani, Keidi Bare, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj. Ndërsa, disa lojtarë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues, përfshirë Ivan Balliu, Ylber Ramadani, Taulant Seferi, Ernest Muçi, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja.
Kombëtarja shqiptare vazhdon të mbështetet në performancat e mirë të legjionarëve të saj për të arritur objektivat në kualifikueset për Kupën e Botës, dhe ky fundjavë ka qenë një tjetër dëshmi e rëndësishme e angazhimit dhe suksesit të lojtarëve kuqezi./UBTNews/