Armando Broja ka luajtur vetëm pak minuta në dy ndeshjet e tij të para me Fulhamin, duke u aktivizuar në fundin e përballjeve ndaj Burnley e Bournemouth. Kjo situatë ka futur në dilemë drejtuesit dhe stafin teknik të londinezëve.
Sipas “The Sun”, në klub janë të pavendosur për mënyrën se si do të trajtojnë sulmuesin shqiptar për shkak të marrëveshjes që kanë nënshkruar me Chelsean për huazimin e tij.
Sipas mediave britanike bëhet e ditur se Fulham ka paguar rreth 750 mijë paund për të huazuar Brojën deri në fund të sezonit, por shifra është progresive dhe shkon deri në 4 milionë paund varësisht aktivizimit të sulmuesit shqiptar dhe numrit të ndeshjeve që ai do të luajë.
Akordi parashikon që Broja të luajë minimalisht 60% të ndeshjeve nga momenti i firmës, por si titullar, jo thjesht aktivizim. Por dilemat kanë të bëjnë më faktin se sulmuesit e tjerë po kalojnë formë të mirë dhe po shënojnë gola, ndaj tani po merret në konsideratë edhe ideja e mbajtjes së Brojës në stol në vazhdimësi, ndonëse kjo do i kushtojë një shifër të majmë klubit./UBTNews/