Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar me sukses trajnimin “Maintenance Event” në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës, duke shënuar një tjetër hap përpara në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike të ushtrisë.
Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Gardës Kombëtare të Iowas nga SHBA-ja, ku pjesëtarët e FSK-së përfituan njohuri dhe përvojë praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kryesore të automjeteve ushtarake HMMWV. Fokus i veçantë gjatë këtij trajnimi i u kushtua transmisionit, sistemit të derivateve dhe atij elektronik.
Gjithashtu, një komponent me rëndësi i këtij aktiviteti ishte edhe zhvillimi i kapaciteteve të instruktorëve të rinj të FSK-së, me qëllim që njohuritë e fituara të bartren tutje te pjesëtarët e tjerë të forcës.
Ky aktivitet ndikon drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit për mirëmbajtjen e mjeteve ushtarake, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit të qëndrueshëm me Gardën Kombëtare të Iowas.
