Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG 5T, 4×4, të blerë për nevojat logjistike të ushtrisë. Në ceremoninë e pranimit morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se me këto prurje të reja, si dhe me 8 kamionët e tjerë KX 8×8 të blerë së fundmi nga “Rheinmetall”, numri i përgjithshëm i mjeteve të pranuara të këtyre kategorive arrin në 35. Ai paralajmëroi se dhjetëra kamionë të tjerë të blerë të këtyre tipave do të arrijnë gjatë vitit 2027.
Sipas Kurtit, një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit, por edhe përmes kapaciteteve që mundësojnë lëvizshmëri dhe furnizim efikas. Mjetet e reja janë të projektuara për terrene të vështira e malore dhe rrisin dukshëm mbështetjen logjistike të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.
Kreu i Qeverisë e vlerësoi këtë si një javë të suksesshme për ushtrinë, duke kujtuar se pas betimit të 515 rekrutëve të rinj të premten e kaluar dhe nisjes së trajnimit për 209 të tjerë në fillim të javës, pranimi i këtyre kamionëve përmbyll me sukses përpjekjet për fuqizimin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend./E.A/
