UBT News

FSK në ushtrimin “Dynamic Front 26” në Gjermani

Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë të mortajave.

“Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe partnerëve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt”, thuhet në njoftimin e FSK-së, duke bërë të ditur se ushtrimi po zhvillohet paralelisht në Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.

FSK ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore Grafenwöhr, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

“Togu i mortajave me mortaja 120 mm ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat italiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas njoftimit, gjatë ushtrimit “Dynamic Front 26”, FSK ka demonstruar aftësitë e saj në qitje ditën dhe natën, ndërsa “çdo ditë po dëshmon profesionalizëm dhe disiplinë duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë”.

Exit mobile version