Për herë të parë, Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në një mision ndërkombëtar stabilizues të mandatuar nga Kombet e Bashkuara në Gazë, një nga zonat më të nxehta në botë.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetin social “X”, ku u konfirmua se pjesëtarët e FSK-së do të angazhohen në mbështetjen e përpjekjeve për siguri, kryesisht në fusha si logjistika dhe çështjet civile.
Ky hap konsiderohet si një arritje e madhe për Kosovën në kuadër të kontributit për stabilitetin global në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ky angazhim vjen si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), e cila buron nga plani 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, kjo forcë shumëkombëshe pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin.
Ajo ka për qëllim trajnimin e policisë së re palestineze, sigurimin e kufijve, ruajtjen e rendit dhe mbështetjen e çmilitarizimit të territorit nga Hamasi, i cili kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe nisi luftën aktuale me sulmin e tetorit të vitit 2023. /E.A/
