Tre pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfaqësuar me sukses Kosovën në “Garën për Luftëtarin më të mirë” e cila u mbajt në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjatë katër ditëve sa zgjati ky aktivitet, ushtarakët iu nënshtruan sfidave të ndryshme me karakter ushtarak, të cilat vunë në provë të fortë përgatitjen e tyre fizike e mendore, aftësitë taktike si dhe qëndrueshmërinë.
Sukses të veçantë në këtë garë shënoi pjesëtari i FSK-së, OR3 Ismail Ahmeti, i cili arriti të renditet në mesin e finalistëve dhe të sigurojë vendin e dytë, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi.
Pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në këtë garë vendimtare shërben si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, testimin e kapaciteteve profesionale, si dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës. /E.A/

