UBT News

FSK drejt Gazës: Kuvendi mblidhet sot për të vendosur për misionin e ri ndërkombëtar

Sot në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë plenare me një rend dite mjaft të ngjeshur, ku tema më e rëndësishme është shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar në Gazë.

Ky vendim, i cili u procedua për miratim në Kuvend më 30 mars, vjen pas ftesës zyrtare nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara dhe synon që trupat tanë të bëhen pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se ky angazhim jashtë vendit mbështetet plotësisht në vullnetin politik të shprehur në Bordin e Paqes dhe në legjislacionin aktual që rregullon dërgimin e FSK-së në misione të tilla.

Përveç kësaj pike kyçe, deputetët pritet të shqyrtojnë në parim edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një nismë kjo me peshë për sistemin e drejtësisë në vend.

Agjenda e sotme përfshin gjithashtu propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe pikat e rregullta rutinë që nisin punimet e seancës.

Këtu përfshihen miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës ku ligjvënësit shprehin qëndrimet e tyre për tema aktuale, si dhe pyetjet parlamentare drejtuar kabinetit qeveritar.

Exit mobile version