Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend. Sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026, 87.4% e qytetarëve kanë shprehur besim të plotë në FSK-në, ndërsa 85.6% në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione në krye të listës për sa i përket besueshmërisë.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të pastër të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit dhe sundimit të ligjit. Nga ky institucion theksuan se besimi i qytetarëve është themeli i punës së tyre dhe një motiv shtesë për të vazhduar mbrojtjen e jetës dhe pronës së komunitetit.
Anketa tregon gjithashtu se për qytetarët e Kosovës, siguria, sundimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit mbeten prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë kërkuar që forcimi i zbatimit të ligjit të mbetet në fokusin kryesor të institucioneve shtetërore.
Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo dukuri tjetër që cenon sigurinë publike. Institucioni ka premtuar investime të mëtejshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e transparencës, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të qytetarëve. /E.A/

