UBT News

FSK dhe Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara zotohen për thellim të bashkëpunimit

Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), gjeneral brigade Chris A. McKinney.

Gjatë takimit, të dy gjeneralët diskutuan për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për avancimin e kapaciteteve të Kosovës në fushën e mbrojtjes, përfshirë blerjet ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik i Kosovës, ndërsa gjeneral McKinney përgëzoi punën dhe zhvillimet e shpejta të realizuara në sektorin e mbrojtjes dhe projektet e ardhshme të FSK-së.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe USEUCOM-it, me theks të veçantë në nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit në NATO.

Po ashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga Kosova.

Ndërkohë, gjeneral brigade Chris A. McKinney u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Gjatë këtij takimi u diskutua për ambientin e sigurisë në vend dhe rajon, avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, blerjet ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Ministri Maqedonci theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner kyç dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai bëri të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojë të thellohet me besim të plotë reciprok, në funksion të forcimit të ushtrisë dhe integrimit euroatlantik të vendit.

Në fund të takimeve, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata amerikanë ritheksuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit strategjik dhe mbështetjen e zhvillimit të mëtejmë të FSK-së.

 

 

Exit mobile version