UBT News

FSK dërgon ekip në Gaza për vlerësimin e zonës së operimit

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka dërguar një ekip në Gaza për të bërë vlerësimin e terrenit ku do të operojnë trupat e saj në kuadër të një misioni paqeruajtës ndërkombëtar.

Vendimi për dërgimin e ekipit është marrë nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i cili ka autorizuar këtë vizitë me qëllim përgatitjen e terrenit për dislokimin e kontingjentit kosovar.

Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit në Gaza, ekipi i FSK-së do të bëjë vlerësimin paraprak të kushteve në terren dhe do të koordinojë aktivitetet që lidhen me vendosjen e trupave. Kontingjenti i FSK-së pritet të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF).

Gjatë vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritete lokale përgjegjëse për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendra Koordinuese Civilo-Ushtarake, e cila vepron nën mbikëqyrjen e strukturave ndërkombëtare të paqes, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Në këto takime është diskutuar për integrimin e kontingjentit të FSK-së në operacionet ndërkombëtare, zhvillimin e misioneve të përbashkëta, si dhe koordinimin e mbështetjes logjistike.

FSK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar forcimin e partneriteteve strategjike dhe promovimin e sigurisë kolektive.

 

Exit mobile version