UBT News

Fshihet reklama e Snickers në Spanjë pas akuzave për homofobi

Kompania e çokollatave Snickers në Spanjë kanë larguar dhe kërkuar falje për një reklamë të tyre, pasi ajo u keqkuptua dhe u cilësua si reklamë homofobike.

Në këtë reklamë të realizuar nga influenceri Aless Gibanja shihet duke kërkuar një lëng portokalli me vitamina A,B dhe C  dhe duke shkëmbyer përqafime e puthje në plazh, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv.

Në vend të lëngut, kamarieri ofron një akullore të Snickers dhe pas një kafshimi influenceri Gibaja transformohet në një burrë me mjekër dhe me zë të thellë.

I pyetur nga shoku nëse ndihet më mirë, burri në reklamë përgjigjet: “Më mirë”, para se slogani i Snickers “nuk je ti kur je i uritur” të shfaqet në ekran.

Reklama u kritikua gjerësisht si homofobike dhe u përplas në mediat sociale, me ministren spanjolle për barazi Irene Montero duke shkruar në Twitter: “Unë pyes veten se kujt mund t’i duket një ide e mirë të përdor homofobinë si strategji biznesi”.

Ndërsa, Federata Shtetërore e Lesbikeve, Homoseksualëve dhe Biseksualëve shkroi në Twitter se është “e turpshme dhe për të ardhur keq” që kompanitë të vazhdojnë të përjetësojnë stereotipet dhe homofobinë nëpër reklamat e tyre.

Në anën tjetër, kompania Snickers ka kërkuar falje për këdo që mund të jetë prekur nga kjo reklamë, derisa thanë se mesazhi i reklamës është keqkuptuar.

“Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi ynë të stigmatizojmë ose ofendojmë ndonjë person ose grup. Në këtë fushatë specifike qëllimi ishte të përcillnim në mënyrë miqësore dhe rastësore se uria mund të ndryshojë disponimin tuaj,” tha kompania.

Për të ndaluar çdo keqkuptim të mëtejshëm kompania ka vendosur që të largoj reklamën nga çdo rrjet televiziv apo online.

Exit mobile version