UBT News

Fruthi vret 700 fëmijë në Zimbabve

Të paktën 700 fëmijë kanë vdekur pas shpërthimit të fruthit në vendin e Afrikës së Jugut, në Zimbabve, që nga muaji prill.

“Që nga 4 shtatori, Zimbabve kishte 6 mijë e 291 raste të konfirmuara, 4 mijë e 459 të shëruar dhe 698 raste të vdekjes”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Twitter të hënën.

47.8% e rasteve u raportuan nga Provinca Manicaland në Zimbabve Lindore ndërsa provinca Mashonaland Perëndimore ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë (16.5%).

“Ndërkohë, meshkujt përbëjnë 52,7% të totalit të rasteve”, shtoi ministria.

UNICEF ka shprehur shqetësimin për rritjen e vdekjeve nga fruthi.

“UNICEF është thellësisht i shqetësuar me numrin e rasteve dhe vdekjeve mes fëmijëve për shkak të shpërthimit të fruthit në Zimbabve”, thuhet në një deklaratë të UNICEF-it të hënën.

Më 10 prill, distrikti Mutasa në provincën Manicaland u bë distrikti i parë që raportoi shpërthimin e fruthit.

UNICEF aktualisht po mbështet reagimin e qeverisë së Zimbabvesë dhe ekipet e reagimit të shpejtë janë vendosur në rrethet e prekura.

“UNICEF-i ndihmon qeverinë për të kontrolluar shpërthimin përmes gjurmimit të rasteve në komunitet dhe aktiviteteve plotësuese të imunizimit”, shtohet në deklaratën e UNICEF-it.

Qeveria e Zimbabvesë po ua lë fajin boshllëqeve të imunizimit për shkak të besimeve tradicionale që kanë ndikuar që disa fëmijë të mos vaksinohen kundër fruthit. Vaksinimi është falas./UBTNews/

Exit mobile version