Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Zvicrës, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Lojtarët dhe stafi teknik kanë theksuar rëndësinë e takimit, duke paralajmëruar se synimi kryesor janë tre pikët.
Lojtari Albian Hajdari dhe përzgjedhësi Franco Foda janë shprehur se ekipi do të hyjë në fushë me ambicie të qarta dhe me besim në performancën e tyre, ndërsa kanë vlerësuar se ndeshja me Zvicrën ka karakter të veçantë.
Hajdari tha se çdo ndeshje ka peshën e vet, ndërsa synimi kundër Zvicrës mbetet maksimal.
“Besoj se çdo lojë është e rëndësishme si çdo tjetër, përveç Zvicrës. Momentalisht në gjithë lojët ja kemi fitu ja kemi marrë një pikë. Në lojën e Zvicrës hymë për të fituar 3 pikë. Na e shohim për 3 pikë. Është një ndeshje speciale”, tha ai.
Ndërsa përzgjedhësi Franco Foda u shpreh se ekipi do të përpiqet të shfaqë performancën më të mirë.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të paraqitemi mirë, këtë lojë do të shohim ta bëjmë për veti. Do ta mbajmë sistemin tonë të lojës, i dimë pikat e forta të Zvicrës, do të bëjmë çmos që taktikat tona t’i zbatojmë në fushë. Do t’i bëjmë shumë presion ndaj kundërshtarit dhe do të bëjmë gjithçka që të fitojmë lojën”, tha ai./EO
