UBT News

Francë: Qeveria përballet me protesta studentore dhe krizë financiare

Pamjet drejtpërdrejt të transmetuara nga ekipet e Reuters TV në qytetet Lyon dhe Strasbourg tregojnë përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë anti-protestë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Në Lyon, në juglindje të Francës, tym i zi u ngrit nga një zjarr i ndezur në një kryqëzim me komunikacion të dendur, rreth të cilit ishin grumbulluar protestuesit. Ndërkohë, në Strasbourg, në lindje të vendit afër kufirit me Gjermaninë, pamjet filmike shfaqën përleshje direkte mes forcave të rendit dhe protestuesve, disa prej të cilëve kishin mbuluar fytyrën me shall ose maska të zeza.

Autoritetet franceze kanë akuzuar elementë anarkistë për infiltrim në protestat e ligjshme të nxënësve të shkollave të mesme me qëllim nxitjen e dhunës në rrugë – një dukuri e përsëritur gjatë valëve të kaluara të protestave në Francë.

Për të zbutur pakënaqësitë, Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, u ka bërë thirrje publike nxënësve që të shprehin ankesat e tyre përmes një konsultimi online të hapur deri më 23 tetor.

“Nxënës të shkollave të mesme, është radha juaj të flisni. Na tregoni për vështirësitë dhe pritshmëritë tuaja në secilën prej shkollave tuaja. Kontributet tuaja do të ushqejnë një plan veprimi me dëshmi të matshme dhe një afat kohor të detajuar të zbatimit. Dhe ne do të jemi përgjegjës para jush”, shkroi Geffray në platformën X.

Kjo valë protestash për më shumë financim në arsimin e mesëm është më e madhja që nga vitet 1990, periudhë kur qeveria zgjeroi qasjen në provimin e maturës (baccalauréat) pa siguruar burime të mjaftueshme financiare për shkollat.

Sfondi i këtyre trazirave shoqërohet nga një krizë e thelluar ekonomike. Kostoja e huamarrjes për Francën ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i viteve 2000, ndërsa rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare prekën shifrën rekord prej 5%. Rritja e normave të interesit dhe rënia e euros kanë ngritur shqetësime në të gjithë zonën e eurose, megjithëse Ministri i Financave, Roland Lescure, deklaroi se për momentin nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Bankës Qendrore Evropiane.

/Reuters/

Exit mobile version