Peshkopët katolikë francezë ranë dakord të shesin një pjesë të pronave nga pasuria e paluajtshme e Kishës për të kompensuar mijëra viktima të abuzimit seksual të fëmijëve nga klerikët, përcjell UBT News.
Ata kanë qenë nën presion për të dëmshpërblyer viktimat pasi një hetim konfirmoi abuzimin e gjerë seksual të të miturve nga priftërinjtë, nga vitet 1950 deri në 2020.
Një komision i pavarur do të ngrihet për të vlerësuar pretendimet, “dhe ne do të ofrojmë mjetet për të përmbushur këtë mision… të dëmshpërblimeve individuale për viktimat”, tha kreu i Konferencës së Peshkopëve të Francës.
Hetimi i kishte kërkuar Kishës që t’i paguante viktimat me buxhetin e vet, në vend që t’u kërkonte famullitarëve të dhuronin fonde për të kompensuar krimet e kryera nga kleri.
Kisha tashmë kishte premtuar të krijojë një fond për të filluar pagesat vitin e ardhshëm dhe tani do të forcohet “duke shitur pasuri të paluajtshme në pronësi të Konferencës së Peshkopëve të Francës dhe të dioqezave”, tha Moulins-Beaufort pas takimit.
Ai tha gjithashtu se do të kërkohet një kredi nga bankat nëse është e nevojshme dhe se Vatikanit do t’i kërkohet të dërgojë një vëzhgues për të ndihmuar në shqyrtimin e përgjigjies së Kishës Franceze.
Raporti prej 2,500 faqesh i publikuar muajin e kaluar, detajonte abuzimin e 216,000 të miturve nga klerikët gjatë kësaj periudhe (1950-2020), numër ky që arrin në 330,000 kur përfshihen pretendimet kundër mësuesve në shkollat katolike.
Papa Françesku u shpreh “i turpëruar” pas raportit, i cili është bërë një nga sfidat e tij më të mëdha në mbarë botën që nga zgjedhja e tij në 2013./UBTNews/