Federata Franceze e Futbollit ka vendosur të mos e mbështesë Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s, duke u rreshtuar kështu kundër kreut aktual të organizatës botërore të futbollit.
Vendimi është konfirmuar të enjten nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, ndërsa vendimi është mbështetur unanimisht nga komiteti ekzekutiv i federatës.
Ky zhvillim përbën një goditje të rëndësishme për Infantinon, pasi Franca është një prej federatave më të fuqishme të futbollit në Evropë. Me këtë qëndrim, ajo i bashkohet edhe Anglisë dhe Italisë, të cilat gjithashtu kanë tërhequr mbështetjen për mandatin e ardhshëm të Infantinos.
Diallo, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka bërë të ditur se besimi ndaj presidentit të FIFA-s është dëmtuar dhe se mënyra e qeverisjes së futbollit botëror nuk përputhet më me atë që kërkojnë federatat evropiane.
Infantino ka konfirmuar se do të kandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të cilat do të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut. Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është 18 nëntori 2026.
Deri tani, Infantino mbetet kandidati i vetëm zyrtar për këtë pozitë, ndërsa presidenti i CONCACAF-it, kanadezi Victor Montagliani, përmendet si një prej emrave që mund ta sfidojë, edhe pse kandidatura e tij ende nuk është zyrtarizuar.
Kundërshtimi ndaj Infantinos është rritur pas propozimit të tij për hapjen e një pjese të aktiviteteve komerciale të FIFA-s ndaj investitorëve privatë, plan që më vonë u braktis pas kundërshtimeve të forta nga konfederatat rajonale.
Në anën tjetër, Infantino vazhdon të ketë mbështetje të rëndësishme nga konfederatat e Amerikës së Jugut dhe Afrikës, ndërsa në Evropë po shtohet presioni për ndryshime në drejtimin e FIFA-s.
Me zgjedhjet që po afrohen, pritet që gjatë muajve të ardhshëm të qartësohet nëse do të shfaqet një kandidat i përbashkët që mund ta sfidojë Infantinon për drejtimin e futbollit botëror.
D.L
